Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha se rastet e reja ditore ose incidenca 2-javore është “rritur ndjeshëm” nga 86 për 100 mijë banorë në 300 për 100 mijë banorë, ndaj edhe nga 1 Shtatori do aplikohen masa të reja.
Ajo tha se nga 1 Shtatori, ora policore nga 24:00-6:00, bëhet 23:00-6:00. Rakacolli shtoi se nga data 6 shtator, qytetarët që hyjnë në Shqipëri duhet të plotësojnë 1 nga këto 3 kushte:
- Të paraqesin pasaportën e vaksinës ku data e vaksinimit të plotë të jetë jo më vonshme se dy javë nga data e hyrjes në kufi.
- Të kenë test PCR negativ brenda 72 orëve, ose testin e shpejt anti-genik brenda 48 orëve,
- Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov-2 të vlefshme, deri në 6 muaj pas shërimit.
“Kjo është e vlefshme edhe për ata qytetarë që kalojnë tanzit në Shqipëri. Fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave. Qytetarët shqiptarë, rezident në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentat e sipërcituara duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit”, saktësoi Rakacolli.
Gjobat “Rakacolli tha se në ndërtesën e aeroporteve do lejohen të hyjnë vetëm, pasagjerët që udhëtojnë duke shmangur shoqërimin nga familjarë të tyre. Këta pasagjerë duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës siç është rekomanduar”, tha Rakacolli.
“Vazhdon të mbetet në fuqi urdhri për mbajtjen e maskave në ambientet e mbyllura, në qendra tregtare, supermarkete, transport publik, dhe në të gjitha vendet ku nuk sigurohet distancomi fizik. Në të gjitha institucionet e kujdesit shëndetësor vijon të mbetet në fuqi moslejimi i hyrjes së familjareve për personat që janë të shtruar”, shtoi.
“Në të gjitha rastet ku nuk zbatohen masat e rekomanduara do zbatohen penalitete, siç është ai individual kur qytetari nuk ka përdorur maskë në ambientet e rekomanduara në masën e gjobës 3 mijë lekë nëse është për herë të parë dhe 5 mijë lekë nëse është përsëritës. Në rast se bizneset nuk zbatojnë protokollet e rekomanduara nga institucionet e shëndetit publik, masa e penalitetit shkon nga 100 mijë deri në 700 mijë lekë, në varësi të masës e cila nuk është zbatuar”, tha Rakacolli, duke apeluar më tej për respektimin e masave të vendosura.