Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla e konsideroi sot qëndrimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta ndaj ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt, shenjë të degradimit dhe të përdorimit të zyrës së Presidentit të Republikës në aspektin politik.
“Keqardhje e madhe për degradimin e sjelljes institucionale të Presidentit të Republikës qoftë ndaj institucioneve të vendit, qoftë në marrëdhënien me Kushtetutën. Tashmë turpin e çon edhe më thellë akoma në një marrëdhënie respekti protokollar, reciprok me përfaqësuesin e një prej organizatave më me emër, OSBE-së, organizatës që ne marrim presidencën prej 1 janarit 2020”, tha Balla, i ftuar në një studio televizive.
Balla tha se “përsa kohë ke marrëdhënie diplomatike me një shtet apo me një organizatë je i detyruar të respektosh përfaqësuesin e tyre”.
“Ambasadorin e një vendi nuk e zgjedh ti, e zgjedh vendi përkatës. Ka pasur një rast Shqipëria, atë të ambasadorit të Iranit në Shqipëri, ku para pak muajsh qeveria shqiptare kërkoi largimin e tij të menjëhershëm për shkak të informacioneve që dihen”, tha Balla.
Balla tha se “kjo sjellje e Presidentit është vijim i shndërrimit të zyrës së Presidentit në një seli të opozitës”.
“Këtu dua ta mbyll se ka të bëjë me imazhin e shtetit shqiptar. Kjo është nuancë e degradimit”, tha ai.
Balla tha se, ambasadori Borchardt ka një histori të gjatë në Shqipëri. “Ai ka qenë në Shqipëri në dy mandate, si ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë dhe si ambasador i OSBE-së. Si çdo person, në jetën e tij private teksa dikush e fyen apo e shan mund të ketë reaguar. Unë nuk e di kontekstin mbi të cilin është bërë ky reagim. Unë po them se nuk është e vërtetë aspak se ambasadori ka fyer shqiptarët si komb, por bën pjesë në ata ambasadorë që edhe kur kanë qenë Sali Berisha dhe Ilir Meta bashkë në qeverisje, edhe kur Sali Berisha dhe Ilir Meta janë në opozitë, mbetet një mbështetës me një zë të fortë i rrugës europiane të Shqipërisë”, tha Balla.
Balla tha se ambasadorin e OSBE-së nuk e zgjedhim ne, por vendi apo organizata që e ka sjellë. “Vijimi i këtij diskutimi pa vlerë është shenjë e degradimit dhe përdorimit të zyrës së Presidentit të Republikës në aspektin politik. Është e turpshme”, tha Balla. /j.p/




