“Të prekurve nga tërmeti iu duhet siguruar tashmë mbështetje psikologjike për të minimizuar efektet e postraumës nga tërmeti që kaluam, por ndërkohë iu duhen siguruar dhe kushte normale jetese”, – deklaroi ministri i Turizmit, Blendi Klosi nga “Rafaeolo Resort” në Shëngjin ku vizitoi banorët e strehuar aty.
“Pronari Marku ka pranuar me shumë zemërgjerësi, nga të parët hotelierë të Veriut, për të mos thënë nga të parët hotelierë shqiptarë, që hapën hotelet e tyre për mbi 5000 banorë të zonave të prekura nga tërmeti dhe këtu në hotel ‘Rafaelo’ kemi 530 banorë të strehuar. Në bazë të asaj çfarë kemi thënë që në ditën e parë, jeta në këto hotele do të jetë në të gjitha elementët e saj. Do të jetë përkujdesje nga hotelet dhe stafi i punonjësve të Ministrisë së Turizmit, për një jetë korrekte, për të pasur mundësinë që këtyre banorëve t’u sigurohet çdo gjë e nevojshme për jetën e tyre normale dhe natyrisht për elementë të sigurisë, por edhe për jetën e tyre komunitare”, – tha ministri Klosi.
Ai falënderoi gjithë hotelierët, duke u ndalur edhe tek Gerta dhe studioja e saj, një nga studiot më të njohura në Tiranë, që pranuan që disa nga ditët e tyre të punës, t’ia dedikojnë pa pagesë vajzave dhe grave në këtë resort.

“Si Gerta, ka shumë vullnetarë që na janë bashkuar në aktivitete të ndryshme. Ne si institucione shtetërore bashkë me hotelierët do të krijojmë një program afatgjatë për këto aktivitete, por natyrisht do të spikasin festat e fundvitit. Të gjitha institucionet shtetërore janë të angazhuar për të marrë në patronazhim një nga komuntitetet në hotele për të organizuar në kuadër të festave të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, festa me komunitetet që, edhe pse janë larg shtëpive dhe natyrisht që drama nuk ka kaluar dhe do të jetë e gjatë në mendjen e tyre, jeta komunitare të jetë e rregullt me të gjitha elementet”, – përfundoi ai.







