Dy infermierë të Qendrës Shëndetësore të Fratarit në Mallakastër janë futur në izolim, pasi një paciente e kthyer nga Greqia nuk tregoi për historinë e saj të udhëtimit.
Dy infermierët morën një telefonatë për gjendjen e saj shëndetësore dhe janë vënë në dijeni se ajo ishte kthyer në 11 mars nga Greqia, vetëm pasi i kishin kryer vizitat mjekësore.
E moshuara 80 vjeçare nuk tregoi as për simptomat dhe as për mbërritjen e saj nga Greqia, që infermierët të kishin marrë masa paraprake gjatë vizitës së saj. Dy nëpunësit e Shëndetësisë kanë shkuar në fshatin Poçem të 80 vjeçares dhe vetëm aty mësuan të vërtetën.
E moshuara është izoluar në banesë dhe nëse gjendja e saj do të përkeqësohet, është i detyrueshëm transporti drejt Tiranës, përkatësisht në repartin infektiv, aty ku ndodhen edhe 30 të tjerë të shtruar me koronavirus.
Ndërkohë, dy infermierët, që shkuan në banesën e të moshuarës vetëm me maska dhe doreza, por pa veshje special, janë izoluar në një ambient të qendrës shëndetësore të Fratarit për të mos rrezikuar familjarët e tyre dhe të detyrojnë edhe futjen e tij në karantinë.