Një vajzë 19-vjeçare është arrestuar nën akuzën se ka vrarë të atin në Shënvlash të Durrësit dhe e ka varrosur trupin e pajetë në oborrin e banesës, duke fshehur ngjarjen. Familjarët e tjerë ndërkohë, kishin bërë kallëzimin për zhdukjen e kryefamiljarit.
Pas 10 ditësh hetime, blutë e Durrësit arritën të zbulonin kufomën dhe të zbardhnin krimin. E reja pranoi të jetë ajo autorja e vrasjes dhe groposjes së trupit në oborrin e banesës. Shkaku që sipas saj e ka çuar në kryerjen e krimit ka qenë nxitja prej babait për t’u fejuar pa dëshirën e saj, si dhe konfliktet familjare që kanë patur.
Në pranga u vu Hygerta Meta, e akuzuar për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” në dëm të të atit Pëllumb Meta, 49 vjeç.
Hetimet për rastin vijojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të implikuar në ngjarje.




