I pari sektor që e pësoi nga përhapja e virusit famëkeq në vendin tonë, ishte ai i shëbimeve. Baret, restorantet, fastfoodet, pub-et, bilardot, dhe subjekte të tjera ulën qepenët. Kjo do të thotë mungesë e plotë xhiroje e për pasojë edhe fitimi.
Coronavirus ka prekur edhe sektorin prodhues dhe fasoneritë në vendin tonë. Stafet e larta në numër e bënë të domosdoshme mbylljen e aktivitetit por kjo do të thotë në radhë të parë se ata rrezikohen që të humbasim klientët, pra punën.
Ndërkohë që masat e marra nga qeveria për të frenuar përhapjen e coronavirusit në vendin tonë, kanë penalizuar nje sërë biznesesh, nga ana tjetër u krijua mundësia që të lulëzojnë shitjet online.
Pademia e Coronaviurs e cila ka prekur edhe vendin tonë, nuk ka mbetur vetëm tek qytetarët, por ka infektuar rëndë edhe ekonomisë shqiptare, së cilës, pas goditjes së marrë nga tërmeti shkatërrimtar i 26 Nënorit 2019 dhe tashmë nga Covid-19, do t’i duhen vite për tu gjallëruar. Me konfrimimin e rasteve të para të të prekurve me coronavirus më 9 Mars 2020, qeverisë që iu desh që të ndërmerrte një reagim të menjëhershëm dhe ekstrem me masa, për frenimin e përhapjes së tij, çka rëndoi drejtpërsëdrejti në “shpatullat” e bizneseve, punonjësve dhe thuajse të të gjithë sektorëve të ekonomisë.
Shërbimeve u vihet “kyçi”
I pari sektor që e pësoi nga përhapja e virusit famëkeq në vendin tonë, ishte ai i shërbimeve. Për shkak të socializimit nga i cili karakterizohet ky segment i ekonomisë dhe mosbindjes së qytetarëve për t’u distancuar, qeveria vendosi që të mbyllë baret, restorantet, fastfoodet, pub-et, bilardot, dhe subjekte të tjera të kësaj natyre, fillimisht në kryeqytet dhe më tej në të gjithë Shqipërinë, deri në një vendim të dytë në varësi të ecurisë së situatës. Kjo do të thotë mungesë xhiroje, mungesë fitimi, si dhe detyrime për të paguar që nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, tatimet, pagat e punonjësve, taksat lokale, ç’ka sjell “fundosjen” e kësaj industrie. Bashkë me këtë sektor, janë të dëmtuara edhe biznese të vogla jo ushqimore, të natyrave të tjera, të cilat për shkak të kufizimit të lëvizjeve nuk kanë pasur frekuentim dhe xhiro. “Për bizneset e vogla dhe të mesme gjendja nuk është aspak e mirë, gjendja është e trishtueshme. Mbi 95 mijë biznese janë të mbyllura dhe vetëm 4500-5000 mijë biznese punojnë gjatë kësaj periudhe, si furra buke, farmaci, etj. Ndërkohë që duhet të paguajnë taksa lokale dhe detyrime të tjera tatimore dhe pse nuk ushtrojnë aktivitet ekonomik. Ndërkohë që mijëra qytetarë kanë mbetur të papunë”, shprehet Albert Nasto, Kryetar i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm. Sipas tij, situata e bizneseve të vogla dhe të mesme ishte e vështirë dhe pa ndodhur tërmeti i 26 Nëntorit dhe kjo është ndoshta nga situatat më të vështira që është përballur ndonjëherë. “Në qoftëse qeveria ndihmon me paketa të ndryshme fiskale, apo në forma të ndryshme, për të ndihmuar biznesin e vogël dhe të mesëm, situata mund të lehtësohet dhe bizneset mund të rigjallërohen. Ndoshta duhet të hiqen taksat dhe detyrimet për një periudhë 1-vjeçare që në të rezistojmë në treg, pas kësaj goditjeje. Duhen hedhur lekë në qarkullim”, thekson z.Nasto. Ndërkaq, nga efekti COVID-19 është prekur dhe sistemi banker. Kufizimi i lëvizjeve për qytetarët dhe i fashave orare të vendosura, ka kufizuar edhe mundësinë për të marrë shërbrimet fizike bankare dhe pse një pjesë e mirë e tyre ofrohen on line, jo të gjithë janë të familjarizuar.
Prodhimi-fasonët
Coronavirus ka prekur edhe sektorin prodhues dhe fasoneritë në vendin tonë. Të vënë përballë përgjegjësisë për marrjen e masave ndaj frenimit të tij dhe për shkak të numrit të lartë të punonjësve, këtyre bizneseve u është dashur të reduktojnë stafin dhe të punojnë me kapacitet më të ulët, duke iu përshtatur edhe orareve të të qarkullimit të vendosura nga qeveria dhe të ndryshueshme herë pas here si dhe faktit që iu kërkua që për gratë më fëmijë të vegjël të ofrohej mundësia e dhënies së pushimeve.. Sipas kryetarit të Dhomës së Fasoinstëve, Gjergji Gjika ende nuk ka një shifër të dëmit për këtë industri gjatë kësaj periudhe, pasi nuk bëhet fjalë për fitim të munguar, por për zerimi të xhiros, që sjell humbje në varësi te kontratave. “Ne kemi afate për porositë që duhet të dorëzojmë tek partnerët tanë ndërkombëtar. Dhe reduktimi i stafit apo puna me kapacitet më të ulët, rrezikon prishjen e kontratave të lidhura dhe mosmarrjen e pagesave. Rrezikojmë të humbasim klientët, Edhe situata në Europë, më së shumti në Itali, ku kemi dhe partnerët kryesor e bën dhe më të vështirë ecurinë normale të këtij biznesi, ku efektet do të jenë të mëdha”, thekson Gjika. Në industrinë me material porositësi janë të punësuar 76 mijë punonjës në 763 ndërmarrje.
Bizneset që “përfituan”
Sektori që ka pasur rritje gjatë kësaj periudhe kanë qene shitjet me pakicë, kryesisht sa i takon produkteve ushqimore dhe të tjerave që janë të domosdoshme për një jetëse normale. Nga frika e krizës së ushqimit, qytetarët janë dyndur nëpër markete për të bërë blerje përgjatë gjithë muajit, në mënyrë që të jenë të sigurtë dhe të përgatitur për çdo situate të panjohur. Kjo ka bërë që të rritet ndjeshëm konsumi i produkteve ushqmore dhe jo ushqimore të domosdoshme, gjatë kësaj periudhe. Ndërkohë që edhe kompanitë e farmaceutikës kanë pasur bum shitjesh, për shkak të masave që kanë marre qytetarët për pajisje me masaka, dezinfektant, dorashka, etj. Në këtë pikë nuk kanë munguar as abuzimet nga depot farmaceutike apo farmaci të ndryshme, të cilët kanë shumëfishuar çmimet për këto produkte, duke shfrytëzuar kërkesën e lartë të qytetarëve dhe mungesën në treg.
Lulëzojnë shitjet online
Ndërkohë që masat e marra nga qeveria për të frenuar përhapjen e coronavirusit në vendin tonë, kanë penalizuar nje sërë biznesesh, nga ana tjetër i kanë dhënë shtytje shumë subjekteve të tjera që të gjejnë forma të reja funksionimi. Në këtë pikë, gjatë kësaj , periudhe duket se po lulëzojnë shitjet online. Nga një vëzhgim i bërë në rrjetet sociale, bizneset qe shesin produkte online po marrin porosi dhe po funksionojnë normalisht, por ka edhe nga ato subjekte që kanë aktivitet fizik, por që këtë periudhë po reklamojnë dhe po ofrojnë më së shumti shitje online, duke iu përshtatur kufizimeve të qytetarëve, për ta bërë më të thjeshtë furnizimin e tyre me produktet që kanë nevojë . Kjo mundësi ofrohet për produkte të ndryshme, që nga veshjet, produkte shtëpiake apo ushqimore, për ata qytetarë që duan të shmangin fizikisht supermaketet apo dyqanet e tjera, apo dhe restorante që ofrojnë shërbim në shtëpi. Porosia e qytetarëve bëhet përmes faqeve zyrtare të internetit të këtyre subjekteve dhe pagesa aplikohet ose me kartë bankare ose cash, në momentin e dorëzimit. Pavarësisht ndalimit të qarkullimit për pjesën më të madhe të qytetarëce , këto subjekte mundësojnë shitjet duke u pajisur me autorizimin përkatës si dhe aplikojnë një tarifë të caktuar për transportin, në bazë të largësisë.
Turizmi dhe transporti
Nëse çdo vit në muajin Mars fillonin prenotimet për pushime jashtë vendit apo prenotimet e të huajve për të pushuar në Shqipëri gjatë sezonit veror, situata e paparashikuar e krijuar nga Coronavirus, i ka vënë operatorët turistikë dhe hotelet përballë anulimit të prenotimeve. Duke qenë se nuk ka një vijë të përcaktuar për mënyrën se si do jetë ecuria e kësaj situate dhe goditja që ka dhënë panedemia në të gjithë botën, ka dhënë efektet e saj të drejtpërdrejta. Po ashtu, mbyllja e kufijve europianë dhe rajonalë, anulimi i fluturimeve mes shumë vendeve, pasiguria, i ka bërë pushimet verore thuajse një mision të pamundur. Kjo do të sjellë një dëm të rëndë ekonomik për zinxhirin e biznesve që funksionon në këtë sektor, nga agjencitë turistike, tek hotelet, restorantet, baret, njësitë tregtare me pakicë etj. Po ashtu dëmtim kolosal ka pësuar edhe tregu i fluturimeve ajrore, ku humbjet e kompanive për shkak të mosfunksionimit gjatë kësaj periudhe janë më miliona euro. Në këtë situatë preket edhe transporti detar ku tragetet kanë ndaluar së operuari në linjat me italinë. Drejtues të ndryshëm agjencish turistike deklarojnë se situata nuk është aspak e favorshme duke qënë se jemi në prag të verës dhe shfaqja e këtij virusi dëmton këtë sektor pjesa më e madhe e prenotimeve nëpër hotele janë anuluar. “Sektori i turizmit, nga Nëntori 2019, nga tërmeti dhe me pasojë virusin COVID-19 që shpërtheu në Kinë, që në muajin Janar filluan stepjet e para, frika për të udhëtuar, për të prenotuar dhe për të rezervuar dhe pas përhapjes në Itali, frika u kthye në stopim dhe anulim të të gjitha rezervimeve dhe fillimin e anulimeve për të gjitha udhëtimet që ishin parashikuar dhe planifikuar të ndodhnin në pranverë, madje ka dhe vazhdojnë anulimet për të gjithë periudhën e sezonit. Mund të them që për të gjithë vitin, deri më tani, mund të ketë deri në 50 për qind anulime. Ndërkohë që kur për sezonin veror, rezervimet akoma janë në pritje. Gjë që do të thotë që presin se si do shkojë situata. Opinion im është që turizmi shqiptar do pësojë goditjen më të madhe në historinë tonë”, shprehet Besnik Vathi, kreu i Shoqatës së Tur Operatorëve. Sipas tij operatorë të ndryshëm kanë anuluar të gjitha udhëtimet për vitin 2020.
REAGIMET E BIZNESIT
Nikolin Jaka: Parashikohen humbje shumë të larta
“Pas masave të marra ndaj coronavius, kanë qenduar të hapura kompanitë e transportit të mallrave dhe të produkteve ushqimore, por edhe këto me shumë problematika, sepse përgjigjet e e-maileve janë jashtëzakonisht të ngadalta ndërkohë që sipërmarrja është dinamike dhe nuk është ajo që duhet të presë. Ndërkohë që kemi të mbyllur restorantet, kafet, hoteleritë, janë vetëkarantinuar shumë aktivitete të tjera, janë përgjysmuar të gjitha aktivitetet në sektorin e prodhimit, sepse me rënien e kërkesës normalisht që s’ke çfarë prodhon, ashtu sikurse është përgjysuar kërkesa për futjen e produkteve nga importi. Ne mendojmë që nuk e kemi mbyllur, por duke mbyllur konsumatorin, që është një pjesë e fuqishme sektori i restoranteve dhe hotelerisë, ne kemi mbyllur 50 për qind të kërkesës së tregut. Nëse në Shqipëri të ardhurat ditore janë 10 milionë euro, humbjet parashikohet që të jenë 3-fish. Pra në rastin konkret, jo vetëm që nuk kemi të ardhura, por kemi 3-fishin e tyre kompensim. Pra kjo do të thotë që ne duhet të jemi shumë smart për të marrë vendimet e duhura pasi pasojat do të jenë të jashtëzakonshme. Në qoftëse ne me masat parandaluese, të pafokusuara, por duke parandaluar çdo qytetar të mundshëm, nuk bëjmë gjë tjetër vetëm se do ngadalësojmë përhapjen e COVID-19, dhe nga ana tjetër do të kemi bllokimin dhe zgjatjen e masave shtrënguese ndaj sipërmarrjes private. Dhe kjo do e çojë sipërmarrjen private në një faliment të padiskutuar.
Dritan Shano: Biznesi është në një fazë kritike
Për të ruajtur ekonominë, trupin e saj, për të gjeneruar mirëqenie, rritje dhe punësim në të ardhmen, do ta ftoja qeverinë që të mos mblidhte taksa, përveç Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në këtë kohë, asnjë taksë tjetër. Asnjë taksë mbi pronën, si për qeverinë qendrore dhe lokale. Buxheti mund të funksionojë për një periudhë pa vjelur këto taksa, sepse mund të marrë borxh qoftë në në sistemin e brendshëm financiar, që ia këshilloj fort çdo qeverie, qoftë në treg të hapur ndërkombëtar. Individët shqiptar nuk e kanë këtë mundësi dhe për këtë arsye atyre i duhet dhënë çdo mundësi që mos harxhojnë para për energjinë, për ujin, për taksat mbi pronën, për taksën mbi fitimin, e me radhë në këtë periudhë e cila është realishht tragjike për Shqipërinë, një vend i cili u prek nga një fatkeqësi natyrore pak kohë më përpara. Kjo do ishte ajo pjesa më kryesore, më e shpejtë, më e drejtpërdrejtë që do duhet të ndërmerrte qeveria. Në llogari të tilla, mbi dëmin real në ekonominë shqiptare nuk kemi nisur të bëjmë, megjithatë nuk është e vështirë për ekonominë shqiptare që të ulesh e të dikutosh se sa para janë humbur. Më shumë se sa para janë humbur, në këtë moment, sipas meje, kanë rëndësi masat që merren nga shtetit për qytetarët, siç është pezullimi i disa faturave për të paktën dy muaj. Buxheti i shtetit nuk ekziston. Ekziston vetëm nevoja për të kaluar këtë fazë kritike të shtetit shqiptar e cila vjen në një moment aspak të favorshëm, ku ne kemi një zonë shumë të rëndësishme ekonomike, të prekur, të ndaluar, siç është Durrësi, Thumana, Kruja, nga një fatkeqësi tjetër natyrore.
Elisabeta Dosku / SCAN Magazine