Elia Zaharia Zogu u lind më 8 Shkurt në Tiranë. Ajo është e bija e Gjergj Zaharisë dhe aktorës së njohur Yllka Muji, e nderuar me çmimin “Mjeshtre e Madhe”. Vëllai i vetëm i Elias, Amos Muji Zaharia, është gjithashtu i përfshirë në fushën e regjisurës kinematografike si edhe aktrimit. Mes viteve 1998-2002, Elia ndoqi studimet në Liceun artistik ‘Jordan Misja’ për pikturë dhe skenografi. Vitet 2003-2005, e gjejnë atë me studime për art dramatik pranë ‘Conservatoire National de la Région de Bordeaux’, në Francë.
Në 2005-2007, vazhdon formimin artistik, duke ndjekur shkollën private të aktrimit ‘Cours Florent’ dhe 2007-2010, dhe studime teatrale në ‘Université Paris 8’. Gjatë qëndrimit të saj në Francë, mori pjesë në disa projekte teatrale ku mund të përmendim: “Asservies”, nga Suy GLOVER, sjellë nga regjisorja Claire Pinaut në Paris dhe “Lady M”, një krijim i Laurie Jesson; “Kush e solli Doruntinën” nga Ismail Kadare, sjelle nga regjisorja Anjeza Mara; “Sacrées mousquetaires”, krijim i Laurie Jesson .
Viti 2011, e gjen Elian pedagoge në ‘Akademinë e Filmit Marubi’ për lëndën ‘Mjeshtëri aktori’. Ndërkohë karriera e saj artistike vazhdon në disa shfaqje si: “Shtrigat e Salemit” nga Arthur Miller, sjellë nga regjizori Spiro Duni (Projekt i Teatrit Kombëtar); “Dashuri e Hidhur” nga Carlo Bruni (Projekt i Teatrit Kombëtar); “Harroje Dashurinë” nga Erion Kame (Projekt i Teatrit Kombëtar të Komedisë), “Ëndrra e një nate vere” nga William Shakespeare, sjellë nga regjisori John Blondell; “Djemtë Gazmorë” nga Neil Simon, sjellë nga regjisori Sulejman Rushiti, “Tre Motrat” nga Anton Chekhov, sjellë nga regjisori Hervin Çuli (Projekt i Teatrit Kombëtar).
Burimi: Teatri Kombëtar







